Policia e Shtetit ka finalizuar dy operacione në Sarandë dhe në Vlorë, ku në pranga kanë rënë tre persona, ndërsa janë sekuestruar në total 98 kilogramë lëndë narkotike cannabis sattiva.

Konkretisht në qytetin e Sarandës, në sajë të operacionit të koduar "Shëndëllia", policia ka vënë në pranga babë e bir K.Ll dhe F.Ll (48 dhe 18 vjeç), pasi në banesë iu janë gjetur rreth 83 kg lëndë narkotike si dhe disa kubikë ku dyshohet si ishin kultivuar fara cannabis sativa.

Ndërsa në qytetin e Vlorës u finalizua operacioni antidrogë  i koduar "Kota", ku është kapur një sasi tjetër droge, prej 15 kg, e cila u gjet në makinën me të cilën po udhëtonte shtetasi G.H. 31 vjeç banues në Kotë të Vlorës. Arrestimi i tij u bë pas informacioneve të marra në rrugë operative nga Policia e Shtetit.

Njoftimi i plotë i policisë:

Finalizohen me sukses dy operacione policore antidrogë të koduara "Shëndëllia" dhe "Kota"
Sekuestrohet në total 98 kilogramë lëndë narkotike cannabis sattiva.
Arrestohen në flagrancë 3 persona.

– Në Sarandë, u finalizua operacioni antidrogë "Shëndëllia".
Në kuadër të luftës për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, bazuar në informacione në rrugë operative se dy shtetas dispononin lëndë narkotike në banesë, Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në Komisariatin e Policisë Sarandë në bashkëpunim me Patrullën e Përgjithshme kanë organizuar dhe zhvilluar operacionin policor antidrogë të koduar "Shëndëllia".

Gjatë operacionit në fshatin Shëndëlli, Policia ka arrestuar në flagrancë dy shtetas (babë e birë) K.Ll dhe F.Ll (48 dhe 18 vjeç), për veprat penale "Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike" dhe "Kultivimi i bimëve narkotike" kryer në bashkëpunim, pasi gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e tyre Policia gjeti dhe sekuestroi 83 kilogramë lënde narkotike, si dhe disa kubikë ku dyshohet si ishin kultivuar fara cannabis sativa.

– Në Vlorë, u finalizua operacioni antidrogë i koduar "Kota"
Në kuadër të këtij operacioni Seksioni për Hetimin e Trafiqeve dhe Narkotikëve pranë DVP Vlorë në bashkëpunim me Patrullën e Përgjithshme të Komisariatit të Policisë Vlorë, në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë operative kanë bërë të mundur bllokimin e një automjeti tip "Mercedes Benz" në aksin rrugorë "Lapardha-Kotë", Vlorë, ku nga kontrolli i ushtruar në të u gjet një sasi lënde narkotike me peshë totale 15 kilogramë e dyshuar e llojit cannabis sattiva.

Policia arrestoi në flagrancë drejtuesin e mjetit shtetasin G.H., 31 vjeç, banues në fshatin Kotë, Vlorë, për veprën penale "Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike"

Materialet proceduriale i kaluan Prokurorive respektive Sarandë e Vlorë për veprime të mëtejshme.