Policia italiane ka sekuestruar rreth 1.2 kg kokainë, 53 fishekë, një armë zjarri dhe 10 mijë euro në makinën e një gruaje shqiptare. 

Operacioni policor u krye pasi automjeti qëndronte i parkuar prej disa ditësh në një vend në Imola. Inspektimi i makinës çoi në zbulimin e dy “fundeve të dyfishta”, të krijuara artificialisht; në vend të airbag-ut dhe një tjetër të krijuar brenda mbushjes së sediljes së pasme, ku ishte fshehur rreth 1.2 kg kokainë e pastër.

Droga ishte ndarë në 4 pjesë, me një vlerë tregu prej 100 mijë euro, ndërsa arma e llojit “Revolver Smith & Wesson”, rezultoi e vjedhur.

Automjeti rezulton në pronësi të një femre me origjinë shqiptare, e cila tashmë është shpallur në kërkim.