Dy apartamente banimi, dy llogari bankare dhe një automjet Volkswagen janë sekuestruar nga Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë. 

Sipas njoftimit zyrtar, mësohet se pasuria me vlerë deri në 543 452 euro i përket personit me iniciale G.B., banues në Vlorë. Zotëruesi i kësaj pasurie rezulton i proceduar penalisht që në vitin 2017, pasi akuzohet për kryerjen e veprës penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.

Në vitin 2017 ai është arrestuar në Itali dhe dyshohet se pasurinë e sekuestruar e ka përfituar nga pastrimi i parave që mund ta kenë origjinën nga trafiku i drogës.

Njoftimi i policisë Vlorë

Vijon puna për gjurmimin, evidentimin dhe sekuestrimin e pasurive të përfituara nga veprimtaria kriminale.

Sekuestro preventive mbi disa pasuri që dyshohen se janë përfituar nga pastrimi i parave, vlera e tyre arrin deri në 543 452 euro.

Në vijim të goditjeve dhe sekuestrimeve të njëpasnjëshme të kryera ndaj krimit të organizuar dhe pasurive që rrjedhin nga veprimtaria kriminale, Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, nën drejtimin e Prokurorisë së Vlorës, ekzekutoi vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, për vendosjen e sekuestros preventive mbi disa pasuri, konkretisht:

• 2 apartamente banimi në Vlorë;
• 2 llogari bankare;
• 1 automjet Volkswagen.

Vlera financiare e këtyre pasurive kap shifrën rreth 543 452 euro.

Këto sekuestrime pasurore janë në kuadër të procedimit penal proaktiv të vitit 2017, ndaj shtetasit G. B., si person i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.

Ky shtetas është arrestuar në Itali, në vitin 2017, për veprën penale “Trafikim narkotikësh” dhe dyshohet se këto pasuri i ka ngritur mbi bazën e këtyre veprimtarive të paligjshme.

Në bashkëpunim me Prokurorinë, vijojnë veprimet e mëtejshme.