Policia e Vlorës ka arrestuar një 28-vjeçar, i cili dyshohet se shpërndante lëndë narkotike në doza të vogla në qytetin bregdetar, si dhe posedonte armë zjarri.

Në kuadër të bashkëpunimit me qytetarët për të parandaluar dhe goditur paligjshmërinë,  Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të paligjshme dhe narkotikëve  në DVP Vlorë në bashkëpunim me Patrullën e Përgjithshme, finalizuan operacionin e koduar “Bashkëpunimi” dhe arrestuan në flagrancë shtetasin E.A., 28 vjeç, banues në Vlorë.

28-vjeçari është denoncuar nga qytetarët se dyshohej që shpërndante lëndë narkotike në doza të vogla si dhe dispononte armë zjarri pa leje. Shërbimet e policisë pas kontrollit të detajuar në banesën e këtij shtetasi, gjetën të fshehur një armë zjarri tip pistoletë dhe një sasi lënde narkotike, e dyshuar e llojit cannabis sattiva.

Materialet do t'i referohen Prokurorisë në ngarkim të secilit për veprat penale përkatëse “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municioneve” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.