Tentativa për të vjedhur naftë në makineritë e gazsjellësit në Berat, ka shkuar keq për dy hajdutë, një prej të cilëve mbeti i plagosur me armë zjarri.

Burime zyrtare policore informojnë se në pranga kanë përfunduar dy hajdutët Shefit Muço, 57 vjeç dhe Arjan Xhanari, 18 vjeç, të dy banues në Vërtop, Poliçan. 

“Më datë 20.04.2018, rreth orës 23:00 Shefit Muço dhe Arjan Xhanari kanë tentuar të vjedhin naftë në makineritë e parkuara në objektin e gazësjellësit në fshatin Mbrakull. Gjatë tentativës për të kryer vjedhjen janë pikasur nga roja i objektit, Kodian Salillari, i cili ka qëlluar me armë gjahu në drejtim të tyre, ku si pasojë është plagosur, jashtë rrezikut për jetën, Shefit Muço”, thotë policia në një njoftim.

Policia arrestoi edhe rojen Klodian Salillari, 38 vjeç banues në Gradisht të Poliçanit. 

Pas ngjarjes, Salillari mësohet se është larguar dhe ka fshehur armën e gjahut në banesë. Ajo u gjet më pas gjatë kontrollit të ushtruar nga policia në banesën e tij. Në cilësinë e provës materiale, policia sekuestroi një pushkë gjuetie dhe 17 fishekë.

38-vjeçari akuzohet për plagosje të rëndë me dashje dhe mbajtje pa leje e armëve të gjahut dhe sportive.