Një sherr mes dy vëllezërve shqiptarë në Itali ka përfunduar me plagosjen e më të voglit dhe arrestimin e tjetrit. 33-vjeçari Ergi Shabani plagosi me thikë të vëllain 30-vjeçar dhe më pas e la në mëshirë të kalimtarëve, të cilët njoftuan ndihmën e shpejtë.

Ngjarja ndodhi në një stacion hekurudhor pas debatit për shpenzime të tepruara të parave. Pas transportit në spital dhe rikuperimit nga plaga, autoritetet shprehën mosbesim për versionin e viktimës se si kishin rrjedhur ngjarjet.

Sipas 30-vjeçarit, plaga afër mushkërisë ishte shkaktuar nga rrëzimi nga biçikleta dhe rënia në copa xhamash të thyera në rrugë. Hetimet disaorëshe çuan më pas te vëllai më i madh dhe zbardhja e vërtetë e rastit.

Qartësimi i motiveve solli arrestimin e vëllait më të madh nga karabinierët e qytetit jugor të Casertës,  të fshehur gjatë kësaj kohe në banesën e mikut të vet në komunën e Sparanizës. Dy vëllezërit me shtetësi shqiptare raportohet se ndodheshin të dy ilegalisht në Itali.