Policia e Tiranës ka arrestuar 4 persona të cilët dyshohet se shpërndanin lëndë narkotike në afërsi të gjimnazeve të Tiranës. Shërbimet e Policisë të Komisariatit nr.1, në vijim të punës për evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, kanë arrestuar në flagrancë shtetasit:

• K.K 21 vjeç, banues në Tiranë, si dhe i shpallur në kërkim për veprën ”Mosbindja ndaj urdhërit të punonjësit të policisë së rendit publik”.

• S.RR 20 vjeç, banues në Tiranë.

• E.SH, 19 vjeç, banues në Tiranë , i dënuar më parë për veprën penale “Drejtimi i mjetit në mënyrë të parregullt” , si dhe i shpallur në kërkim për veprën ”Mosbindja ndaj urdhërit të punonjësit të policisë së rendit publik”.

• P.N, 44 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë për veprat penale “Vjedhja me dhunë” dhe ‘’Heqja e paligjshme e lirisë”.

Në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative nga shërbimet e Policisë të Komisariatit Nr.1 në drejtim të goditjes së veprimtarisë së kundërligjshme në fushën e narkotikëve, ka rezultuar se shtetasit e mësipërm në bashkëpunim me njëri- tjetrin, kryenin aktivitetin e kundërligjshëm të shitjes së lëndëve narkotike të dyshuar të llojit “Cannabis Sativa” pranë shkollave të mesme në qytetin e Tiranës.

Gjatë kontrollit fizik të ushtruar shtetasve të mësipërm ju janë gjetur dhe sekuestruar 20 doza të dyshuara me lëndë narkotike të llojit “ Cannabis Sativa” e ndarë në porcione gati për t’u shitur.

Gjithashtu gjatë kontrollit në banesën e shtetasit P.N u gjetën e bllokuan 3 doza të dyshuara me lëndë narkotike të llojit “Cannabis Sativa”, 1 patentë italiane e falsifikuar, 1 dokument (tesera sanitaria) dhe 1 kartë identiteti.

Materialet proceduriale iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprat penale të “Prodhimit dhe shitjes së narkotikëve e kryer në bashkëpunim” dhe “ Falsifikim dokumentash” parashikuar nga neni 283/2 dhe 186 i Kodit Penal.