Makina e Inspektores së Arsimit në Shkodër, Frida Kopliku ka shpërthyer gjatë natës.

Më datë 11.10.2017, rreth orës 00:50,  ka ardhur një telefonatë në Sallën Operative se në lagjen “Vojo Kushi” Shkodër, në rrugë është dëgjuar një shpërthim i lehtë.

Si pasojë e shpërthimit kishte marrë flakë mjeti tip “Volkswagen” në pronësi të shtetases F. K. 60 vjeçe, banuese në lagjen “Vojo Kushi”, me detyrë Inspektore në Drejtorinë Arsimore Rajonale Shkodër.

Ndërhyrja në kohë e shërbimit zjarrfikës bëri të mundur fikjen e zjarrit.

Nga veprimet e para të kryera në vendngjarje dyshohet se ka patur një shpërthim të lehtë poshtë mjetit i cili ka qenë i parkuar dhe për pasojë mjeti ka marrë flakë.

Automjeti është dëmtuar lehtë në pjesën e prapme, dhe nuk ka patur dëme në njerëz.

Po kryhen veprimet me grup hetimor, për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.