Redian Abllanica, 35 vjeç, humbi jetën në një aksident në Itali, më datë 4 tetor. Bashkëshortja e tij, Serena Luicietetto, kërkon pas katër ditësh nga ndodhja e aksidentit që të zbardhet e vërteta si edhe të kryhet autopsia.

“Na thanë se hetimet janë mbyllur, por ne duam që të kryhet autopsia. Duket gjithçka e çuditshme. Në asfalt janë akoma shenjat e frenimit. Duam të kuptojmë se çfarë ndodhi. Nuk do ta varrosim tim shoq deri sa ta kuptojmë se çfarë ndodhi”, tha ajo.

Aksidenti që i mori jetën Redian Abllanicës ndodhi në zonën e Bessica-s. Sipas mediave, i riu humbi kontrollin e skuterit tip “Yamaha Majesty 400” me të cilin udhëtonte dhe përfundoi në një rrethrrotullim.

Shqiptari kishte qenë për vizitë te mamaja e tij, e cila banonte në One di Fonte, ku edhe duhet të kishte kaluar natën në fakt, por zgjodhi të kthehej në banesën e tij.

Kjo për shkak se ai donte të shoqëronte dy fëmijët, 3 dhe 6 vjeç, për në shkollë mëngjesin tjetër. Por fatkeqësisht nuk mbërriti kurrë në shtëpi.

“Fëmijët nuk e dinë akoma se babai nuk jeton më. Janë mësuar sepse shpesh ishte larg për punë dhe nuk dyshojnë asgjë. Unë jam takuar me një psikologe. Sëbashku vendosëm që për të mirën e tyre, t’ia japim lajmin, kur edhe unë ta kem marrë disi veten”, ka thënë ajo për mediat.