Ilir Zelka, 47-vjeçari shqiptar i ekzekutuar ditën djeshme në një bar-restorant në Sao Paulo, Brazil teksa po konsumonte mëngjes, rezulton të jetë pronar i një kompanie që jepte prona me qira, në kryeqytetin çek Pragë.

Zelka ishte bashkëpronar në kompaninë imobiliare “Zelka and Co.” së bashku me një tjetër person. Kompania në fjalë është haapur më 20 mars 2010 ndërsa në 9 mars 2019 është larguar nga kompania si bashkëpronar dhe si anëtar bordi.

Sipas dëshmitarëve okularë, motoçiklisti u pozicionua në cep të restorantit dhe më pas hapi zjarr.

Ndërsa menaxheri i bar restorant “Zurich”, Osmar Américo dos Santos, ka dëshmuar se deri para dy javësh shqiptari vinte në bar-restorant dhe porosiste 3 vakte në ditë.

Ndërsa mediat vendase shtojnë se, që prej 20 nëntorit ai po qëndronte në një prej hoteleve më luksoze të zonës.

Të shtënat goditën shqiptarin, i cili edhe pse u dërgua me urgjencë në spital nuk mundi t’i mbijetonte plagëve të marra.

Sipas policisë, vrasësi u largua me motor ndërsa e braktisti atë në Praça David Campista, në Avenida Brasil, bashkë me veshjet e tij.