Një gjykatë në Itali ka dënuar me 8 vite burgim 21-vjeçarin shqiptar Kledian Hoxhaj që dhunonte fizikisht dhe abuzonte seksualisht me të dashurën e tij 18-vjeçare.

Ai ishte tepër xheloz, aq sa kalonte në nivel paranoiak. Historia tronditëse daton në nëntor të vitit 2017. Në atë kohë ai kishte lidhje me 18-vjeçaren dhe në të paktën 3 apo 4 raste e kishte dhunuar fizikisht me pretekstin se nuk i pëlqente sjellja e saj. Për shkak të dashurisë, 18-vjeçarja nuk e kishte denoncuar shqiptarin në polici.

Deri sa një mbrëmje ajo do të qëndronte në shtëpinë e të dashurit të saj, i cili jetonte në San Concordio. Mes tyre lindi një debat që degjeneroi në dhunë. Kledian Hoxhaj e kishte lidhur të dashurën në krevat dhe kishte abuzuar me të seksualisht. Ndaj saj kishte ushtruar dhunë fizike, duke e goditur me grushte dhe sende të forta në fytyrë.

I riu shqiptar u arrestua nga policia dhe nuk shfaqi asnjë pendesë. Madje ai pohoi se me veprimet e tij mbrojti veten nga sjellja e së dashurës. Në përfundim, gjykata e dënoi me 8 vite burgim pasi përfitoi nga gjykimi i shkurtuar.