Mediat britanike shkruajnë se gjyqi në ngarkim të dy shqiptarëve në Angli është shtyrë, për shkak se kishte pengesë gjuhësore. Shtetasit Valdet Tafhasaj dhe Fatlind Cenaj u sollën për herë të parë para gjykatëses Ayanna Baptiste-DaBreo për hyrje të paligjshme të mërkurën. Sidoqoftë, procedurat duhej të shtyheshin të enjten në orën 11 të mëngjesit, sepse nuk kishte interpretues shqiptarë të pranishëm në gjykatë.

Gjykatësja DaBreo përdori aplikacionin “Google Translate” për të informuar shqiptarët se gjyqi ndaj tyre do të zhvillohet në një ditë tjetër. Më pas, u paraqit një përkthyes italian. Gjykatësit britanikë morën vesh se një prej shqiptarëve kishte qenë në Itali dhe se e fliste disi italishten. Megjithatë, gjykata vendosi që të interpretojë çështjen sa të mundet në gjuhën amtare. Gjyqi tjetër do të zhvillohet të hënën e ardhshme.