Në Gjykatën e Krimeve të Rënda po zhvillohet sot seanca në ngarkim të Emiliano Shullazit dhe 4 bashkëpunëtorëve të tij. Sot është radha e fjalës së palës mbrojtëse të 4 të pandehurve Endri Zela, Endrit Qyqja, Blerim Shullazi dhe Gilmando Dani. Të pandehurit nuk janë të pranishëm në sallën e gjyqit, por përfaqësohen me avokatët e tyre.

Seanca ka nisur me avokatin e Gilmando Danit, Denion Bogdani, i cili përmes një materiali shkresor në 65 faqe ka paraqitur pretendimet e palës mbrojtëse. Avokati ka hedhur poshtë akuzat e ngritura nga prokuroria për të pandehurin Gilmando Dani. Në seancën e kaluar u paraqit mbrojtja e Emiliano Shullazit. Avokati i tij Vladimir Meçi kërkoi pafajësi për klientin e tij.

Pritet të shihet nëse gjatë seancës së sotme te Krimet e Rënda do të marrin fjalën edhe avokatët e tre të pandehurve të tjerë, për të paraqitur pretendimet e tyre të fundit, para se të jepet vendimi i gjykatës për 5 anëtarët e grupit të Emiliano Shullazit. /abcnews.al