Rreth orës 19:15 tre persona të maskuar, një prej tyre me armë kanë hyrë me dhunë në një banesë në hyrje të qytetit të Lezhës, në afërsi të Bordit të Kullimit dhe kanë dhunuar me qytën e armës 35-vjeçarin Arben Isaku, pronar i banesës.

Policia zbardh detaje nga ngjarja, ku mbeti i plagosur një tregtar fruta perimesh që u dhunua nga grabitësit në sy të dy fëmijëve të mitur 5 dhe 10 vjeç.

Sipas policisë, pasi kanë goditur me sende të forta të zotin e banesës, grabitësit kanë marrë një shumë parash dhe disa bizhuteri dhe duke përfituar nga errësira kanë mundur të largohen. Shërbimet e policisë kanë shkuar menjëherë në vendngjarje dhe aktualisht janë ngritur disa postblloqe. Forca të shumta policore po krehin zonën duke përdorur edhe qenin e gjurmës.

Janë ngritur pika kontrolli dhe po sekuestrohen pamjet filmike në zonën ku ka ndodhur vjedhja. Grupi hetimor në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Lezhë vazhdojnë veprimet hetimore për zbardhjen e plotë të ngjarjes.