Pas grabitjes së banesës së biznesmenit mbrëmjen e djeshme në Shkozet të Durrësit, 5 persona janë shoqëruar në polici.

Si ndodhi ngjarja

Të veshur me uniformë të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë, maskat kanë grabitur me armë banesën e biznesmenit të transportit mbrëmjen e së shtunës.

Autorët e kanë pritur 38-vjeçarin në ambientet e jashtme të shtëpisë dhe në momentin që biznesmeni është afruar për të hyrë në banesë bashkë me djalin, i kanë vendosur armën në kokë. Nën kërcënimin e armës, grabitësit e kanë udhëzuar atë që t’u kërkonte familjarëve të hapnin derën e shtëpisë.

Në momentin që bashkëshortja e tij ka hapur derën, autorët mësynë në ambientet e brendshme të shtëpisë. Fillimisht, ata lidhën çiftin e bashkëshortëve dhe djalin e tyre, ndërsa më pas kontrolluan në ambientet e brendshme të shtëpisë. Mësohet se autorët kanë arritur që të gjejnë brenda në shtëpi një shumë parash prej rreth dhjetë mijë eurosh.

Pasi morën eurot, ata lanë të lidhur biznesmenin dhe gruan e tij, ndërsa në momentin e largimit morën me vete në formë pengu djalin e tyre.

Pas disa metrash, në momentin që dolën në rrugën kryesore, ata zbritën nga makina djalin e çiftit, i cili i tromaksur u kthye në banesë ku gjeti prindërit të lidhur.

38-vjeçari ka lajmëruar Policinë, ku në dëshminë e tij ka rrëfyer se kishte dalë shëtitje bashkë me djalin e vogël dhe pasi kishin konsumuar një kafe ishin drejtuar për të shkuar në banesë. Ai ka deklaruar se nuk ka arritur të njohë asnjë prej tre autorëve, pasi mbanin maskë në kokë.