Ish-efektivi i policisë, 35-vjeçari Boran Bërçama dhe bashkëjetuesja e tij Silvi Ndoci, janë qëlluar me armë zjarri, top pistoletë, nga një distancë e afërt.

Gazeta Shqiptare mëson se ata janë qëlluar sapo kanë zbritur nga banesa e tyre dhe në momentin që kanë hyrë në automjet, në vendin e quajtur “Rruga e gjerë”, në afërsi të qendrës së qytetit.

Krimi ka ndodhur në sy të fëmijës një vjeç e gjysmë. Foshnja ndodhej në vendin e pasagjerit përpara, në prehrin e gruas së vrarë dhe fatmirësisht ka shpëtuar nga plumbat.

Nga hetimet paraprake, autorët dyshohet të jenë të paktën dy persona, të cilët kanë ditur mirë çdo lëvizje të viktimave. Në shënjestrën e tyre, përveç ish-punonjësit të policisë ka qenë edhe bashkëjetuesja Silvi Ndoci, për të zhdukur çdo dëshmi të mundshme.

Nga dyshimet e policisë duket se bëhet fjalë për një krim të kryer nga profesionistë, duke parë saktësinë e goditjeve me armë zjarri, ndërsa autorët kanë qenë të maskuar.

Boran Bërçama kishte dhënë dorëheqjen para rreth 6 muajsh nga policia, ku shërbente si punonjës i Policisë së Rendit me patrullat.