Në një deklaratë për mediat, policia greke ka dhënë detaje nga aksioni në det, ku u sekuestruan 1700 kg drogë, ndërsa në pranga ranë 4 skafistë shqiptarë.

Sipas komunikatës së policisë helene, bëhet fjalë për një rrjet trafiku të marijuanës nga Shqipëria në Turqi si dhe heroinës nga po kjo linjë. Autoritetet greke kanë publikuar edhe një hartë të intinerarit të gomoneve, të cilat janë nisur nga Vlora më datë 24 shtator.

"Bëhet fjalë për shkatërrimin e një rrjeti kriminale të trafikut të marijuanës dhe heroinës nga Shqipëria në Turqi. Më datë 25 shtator jemi njoftuar për dy gomone që po tentonin të transportonin drogë në brigjet e Turqisë. U organizua operacion nga policia dhe roja bregdetare me 10 skafe, 1 helikopter dhe 1 avion si dhe 2 avionë të FRONTEX në verilindje të detit Egje. Operacioni rezultoi në kapjen e një gomoneje dhe arrestimin e 3 personave që ndodheshin në të, mosha 25, 42 dhe 42 vjeç.

Më datë 29 shtator, u zbulua një gomone tjetër me një shtetas 35-vjeçar në bord në zonën detare të Agistrio. Për të njëjtën çëeshtje janë në kërkim edhe dy shtetas të tjerë. U arrit të krijohej profili i këtij grupi kriminal. Ata zgjidhnin gomone që kanë mundësi të transportojnë sasi të mëdha droge, motorë të shpejtë dhe skafistë të zotë. Ata zgjidhnin të lundronin në ditë me vranësira dhe erëra të forta dhe det mbi 5-6 ballë.

Më datë 30 shtator, në ishullin Piperi u gjetën dhe sekuestruan 106 pako me 1 ton 172 kg marijuanë. 3 të arrestuarit e parë kanë marrë masën e sigurisë “Arrest ne burg", thuhet në komunikatë.