Plot 4 kërkesë-padi për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes janë plotësuar nga efektivët e policisë në Durrës, pas denoncimit të 4 rasteve të dhunës në familje gjatë ditës së diel.

Dinamika e dhunës në familje është e ndryshme, pasi rastet flasin për dhunë të ushtruar nga bashkëshortët ndaj grave të tyre më të mëdha në moshë, dhunë e ushtruar ndaj një bashkëshorti nga gruaja e tij, por edhe dhunë e një bije kundrejt nënës së saj.

Do të jetë Gjykata e Durrësit tashmë që do të marrë vendimin për lëshimin ose jo të 4 urdhrave të mbrojtjes të kërkuar nga pala e dhunuar.

4 raste dhune në familje brenda dite janë tregues i marrëdhënieve të trazuara dhe të dhunshme që konsumohen brenda 4 mureve të shtëpisë, por njëkohësisht edhe dëshmi e ndërgjegjësimit të viktimave për të mos duruar më dajakun e ushtruar ndaj tyre nga njerëzit më të afërt.

Rastet e dhunës të denoncuara gjatë ditës së diel:

  • Më datë 15.07.2018, u plotësua kërkesë padia, për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershëm për shtetasen M.H., vjeçe 28, banues në Durrës, pasi dyshohet se bashkëshorti K.H., vjeç 26, ka ushtruar dhunë fizike e psikologjike ndaj saj. Materialet u referuan në Gjykatën e Shkallës së Parë Durrës. Ligji nr. 9669, datë 18.12.2006, ”Për masa ndaj dhunës në marrëdhëniet familjare”.
  • Më datë 15.07.2018, u plotësua kërkesë padia, për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershëm për shtetasen M.L., vjeçe 44, banuese në Durrës, pasi dyshohet se vajza E.J., vjeçe 30, ka ushtruar dhunë fizike e psikologjike ndaj saj. Materialet u referuan në Gjykatën e Shkallës së Parë Durrës. Ligji nr. 9669, datë 18.12.2006, ”Për masa ndaj dhunës në marrëdhëniet familjare”.
  • Më datë 15.07.2018, u plotësua kërkesë padia, për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershëm për shtetasin A.Q., vjeç 31, banues në Durrës, pasi dyshohet se bashkëshortja, shtetësia S.Q., vjeçe 29, ka ushtruar dhunë fizike e psikologjike ndaj tij. Materialet u referuan në Gjykatën e Shkallës së Parë Durrës. Ligji nr. 9669 datë 18.12.2006, ”Për masa ndaj dhunës në marrëdhëniet familjare”.
  • Më datë 15.07.2018, u plotësua kërkesë padia, për lëshimin e urdhrit  të mbrojtjes së menjëhershëm për shtetasen D.B., vjeçe 37, banuese në fshatin Fushë Bizë, Ishëm, pasi dyshohet se bashkëshorti, shtetasi  I.B., vjeç 29, ka ushtruar dhunë fizike e psikologjike ndaj saj. Materialet u referuan në Gjykatën e Shkallës së Parë Durrës. Ligji nr. 9669, datë 18.12.2006, “Për masa ndaj dhunës në marrëdhëniet familjare”.