Gjykata e Elbasanit ka shpallur moskompetencë në lidhje me çështjen e profesorit të Universitetit të Elbasanit, Denis Himçi, i cili pak ditë më parë u shfaq teksa i kërkonte favore seksuale një studenteje në këmbim të notës. Kjo gjykatë ka caktuar që çështja në ngarkim të profesorit të arrestuar t’i kalojë tashmë Prokurorisë për Krimet e Rënda.

Më herët gjykata caktoi masën e sigurisë ‘arrest me burg’ me 10 ditë, por gjatë seancës së sotme, gjyqtari vendosi të ndryshojë masën e sigurisë në “burg pa afat”.

Pedagogu i Universitetit të Elbasanit “Aleksandër Xhuvani”, Denis Himçi u  vu në pranga pasi u denoncua nga një emision investigativ teksa i kërkonte favore seksuale një studenteje dhe i premtonte asaj se do ta ndihmonte për të kaluar në provimet e mbartura.

Tashmë kjo dosje do të shqyrtohet nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, e cila pas kryerjes së hetimeve të detajuara, pritet të japë pretencën për pedagogun në fjalë.