Gjykata e Durrësit ka lënë në burg pa afat Astrit Thaçin, i arrestuar pak ditë më parë si autori i dyshuar për grabitjen e argjendarisë në Elbasan dhe plagosjen në Plazh të Durrësit, ndërsa për të dashurën e tij Adela Berishën, është dhënë masa detyrim paraqitje, bazuar në nenin 234 të Kodit Penal.

“Skifteri” nga Durrësi ka shfaqur pendesë në sallën e gjyqit sot, teksa avokati mbrojtës Gramoz Lika deklaroi se të gjitha vjedhjet i ka bërë nën efektin e lëndëve narkotike.

“Jam shumë i penduar për veprimet e mia. Nëse do të riktheja kohën pas nuk do të merresha me këtë punë. Mbi të gjitha isha nën efektin e lëndëve narkotike. Kam bërë gabim shumë të madh dhe kam abuzuar shumë, që në momentin që ndodhi plagosja u pendova, nga sikleti pastaj dhe për inerci kreva vjedhjen e argjendarisë. Të gjithë veprat penale i kam kryer i vetëm. Në vitin 2007 u arrestova në Itali, në muajin nëntor u lirova”, tha ai.

Ndërsa Adela Berisha, punonjëse në rrobaqepësi, ka deklaruar para trupit gjykues se nuk ka qenë në dijeni të veprimeve të të dashurit të saj.

“S’kam qenë në dijeni për veprimet e tij. Jam e padënuar. Jam viktimë e këtij procesi. Rrjedh nga familje e mirë”.

Astrit Thaçi akuzohet nga policia për kryerjen e të paktën 8 vjedhjeve me armë në Tiranë, Durrës dhe Elbasan. Në detajet që dha për operacionin “Trajektorja”, policia pak ditë më parë tha se vuri në pranga “A. Th., 27 vjeç, lindur dhe banues në lagjen nr. 13 Durres, i dënuar më parë me 7 vite burg në Itali, për vjedhje me armë, si dhe me precedent të theksuar kriminal në Shqipëri, për shpërndarje të narkotikëve dhe në fushën e vjedhjes me dhunë e armë”.

Mbi bazën e provave të siguruara nga Policia e Durrësit, në bashkëpunim me Prokurorinë nga veprimet proaktive të kryera, dyshohet se Adela Berisha, 20 vjeçe, banuese në Tiranë e ka përkrahur shtetasin Astrit Thaçi, duke i dhënë ndihmë për të mos u kapur nga forcat e Policisë.

RASTET E VJEDHJEVE:

Në Durrës, në datën 08.02.2020, në lagjen 12, Durrës, është vjedhur me armë zjarri filiali i një banke të nivelit të dytë, ku autori mundi të merrte një shumë prej 100.000 lekësh.

-Më datë 10.02.2020, në lagjen 13, Plazh, Durrës, nën kërcënimin e pistoletës ka tentuar të vjedhë banesën e shtetasit R. T., duke e plagosur në këmbë. 

 -Më datë 11.02.2020, në lagjen nr. 14, Shkozet, Durrës, nën kërcënimin e armës ka vjedhur në një Big Market, nje shumë prej 100.000 lekësh dhe steka me cigare.

Po ky shtetas, më datë 12.02.2020, në rrugën “Muhamet Gjollesha” pranë Zogut të Zi, Tiranë, ka tentuar të vjedhë në një agjenci turistike.

-Me datë 12.02.2020, në rrugën “Llambi Bonat” Kombinat , Tiranë, nën kërcënimin e armës ka tentuar të vjedhë në një Big Market. 

 -Me datë 13.02.2020, në rrugën “Kongresi i Lushnjës”, nën kërcënimin e armës ka tentuar të vjedhë në një Big Market.

 -Më datë 15.02.2020, në rrugën “Abdyl Frashëri” jashtë banesës së shtetasit R. N., e ka goditur këtë shtetas me sende të forta duke i marë një shumë prej 300 eurosh dhe një aparat celular Iphone 11 ProMax.

Në Elbasan, më datë 15.02.2020, në lagjen “Ali Pasha”, Elbasan, nën  kërcënimin e pistoletës ka vjedhur në një argjendari, një sasi bizhuterish.

Ne momentin e kapjes, Thaçit iu gjetën dhe sekuestruan sendet e mëposhtme:

-17 varëse floriri, dy ora dore floriri, 20 byzylykë floriri dhe 51.700 lekë të reja.