Gruaja shqiptare që u plagos mbrëmë me armë në Athinë, ka dhënë detaje të rëndësishme për hetuesit grekë në lidhje me autorin e dyshuar.

Në emisionin “Tatiana live” në televizionin grek “Epsilon”, ajo ka thënë se ishte vetëm në shtëpi kur u sulmua me armë. 30-vjeçarja tregon se personi që e qëlloi është shqiptar. Ai hyri në banesën e saj dhe të dy biseduan. Kur gruaja shkoi në kuzhinë për të gatuar, ai nxorri armën dhe e sulmoi duke i thënë “sot do të vdesësh”.

Shqiptarja, identiteti i së cilës nuk është bërë me dije, ka dhënë përshkrime për autorin. Sipas saj, i dyshuari është mbi 1.80 m i gjatë dhe ka një tatuazh në dorën e tij të djathtë. Dyshohet se personi që e sulmoi me armë të ketë qenë i dehur. Mediat greke shkruajnë se gruaja është e martuar në Shqipëri dhe ka një fëmijë 7-muajsh.  Ndërsa fqinjët e saj në lagjen Chaidiri të kryeqytetit grek, shprehen se në banesën e shqiptares shkonin shpesh persona me makina luksoze. Ata pretendojnë se gruaja bashkëjeton me një burrë, që dyshohet të jetë personi që e qëlloi.

Ngjarja ndodhi mbrëmjen e djeshme në trotuarin pranë shtëpisë së 30-vjeçares shqiptare. Ajo pësoi plagë në faqe nga të shtënat me armë dhe tashmë ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Dy persona janë shpallur në kërkim nga policia greke, si autorë të dyshuar. /tvklan.al