Ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, ka mbërritur te Krimet e Rënda, ku pritet të njihet me vendimin final të gjykatës.

Prokuroria e Krimeve të Rënda ka kërkuar 12 vite burg për ish-ministrin, por duke qenë se është pranuar kërkesa e tij për gjykim të shkurtuar, përfiton ulje të dënimit me 1/3-n, duke e çuar në 8 vite burg pretencën e akuzës.

Ish-ministri i Brendshëm akuzohet për “Korrupsion të zyrtarëve të lartë”, “Trafik të lëndëve narkotike kryer në bashkëpunim” dhe “Grup të strukturuar kriminal”, në kuadër të dosjes ‘Habilaj’.

Në pretencën e saj, Prokuroria theksonte se Tahiri ishte përfshirë në 4 episode të trafikut të drogës nga periudha 2013-2015, ndonëse nuk dha detaje konkrete për rolin e tij. Ndërkohë, në seancën maratonë të javës së kaluar, vetë ish-ministri, i pyetur nëse kishte frikë nga dënimi, tha se “as nuk më shkon ndërmend dënimi”.