Një 31-vjeçar ka rënë në prangat e policisë së Vlorës pasi dyshohet si autori i dytë i kalimit kontrabandë migrantët që vijnë nga vendet e treta dhe do të niseshin në drejtim të Italisë.

Rreth një javë më parë, u zbulua se kishte strehuar në banesën e tij në fshatin ‘Trevllazër’ shtetasit e huaj emigrantë, të cilët kishin ardhur nga Tirana.

Ata u kapën para se të kalonin nëpërmjet rrugës detare në drejtim të shtetit fqinj më datë 8 janar 2021. Ndërkohë vijon puna për të bërë të mundur identifikimin e personave të tjerë, të cilët mund të kenë lidhje me këtë ngjarje.

Njoftimi i policisë:

Vijon puna për zbardhjen e plotë të tentativës për kontrabandim të migrantëve një javë më parë. Identifikohet, kapet dhe ndalohet një 31-vjeçar, i dyshuar si autori i dytë i kontrabandimit të migrantëve nga vendet e treta, në drejtim të Italisë.

Specialistët për Hetimin e Trafiqeve dhe Narkotikëve në DVP Vlorë, nën drejtimin e Prokurorisë,  në vijim të punës për zbardhjen e plotë tentativës për kontrabandimin e migrantëve në rruge detare dhe vënien para drejtësisë të personave përgjegjës, bënë të mundur identifikimin, kapjen dhe ndalimin e autorit të dytë të kësaj ngjarjeje, shtetasi:

Q.I., 31 vjeç, banues në Trevllazër, Vlorë.

Nga veprimet hetimore të kryera ka rezultuar se ky shtetas ka strehuar në banesën e tij në fshatin Trevllazër, shtetasit e huaj emigrantë që kishin ardhur nga Tirana, të cilët do të largoheshin nëpërmjet rrugës detare në drejtim të shtetit italian, më datë 08.01.2021.

Vijojnë intensivisht veprimet hetimore, nën drejtimin e Prokurorisë, për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari të kundërligjshme. Materialet i kanë kaluar Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.