Një video e ardhur në redaksinë e DurrësLajm tregon momentin e vjedhjes së çantës së një gruaje të moshuar, ditën e sotme në lagjen nr.5, rruga e Dëshmorëve.

Në pamjet filmike të shkëputura nga kamera e sigurisë e një biznesi aty pranë shfaqet një burrë që çalon, i cili ndalet pranë një tavoline në rrugë. Ndërsa vë re çantën mbi tavolinë, burri nis e hedh vështrimin rreth e qark, për të kontrolluar nëse dikush e ka mendjen tek ai.

Megjithëse në rrugë ka kalimtarë, burri në moshë nuk stepet, por i afrohet çantës, e merr në dorë dhe çalë-çalë largohet i patrazuar nga askush.

Gruaja e moshuar deklaron se brenda çantës kishte një sasi të vogël parash, ilaçet e domosdoshme për të, çelësat dhe celularin.

Ajo i bën apel hajdutit që ta kthejë çantën e vjedhur në të njëjtin vend, pranë furrës së bukës ku e mori, pasi kamerat e sigurisë e kanë identifikuar mjaft qartë, ndërsa në kamera të tjera shihet dhe itinerari që ka ndjekur hajduti, pasi u largua nga aty.