Policia e Shtetit ka publikuar emrat e tre personave të radhës, të shpallur në kërkim për vepra të rënda penale.

Të tre këta persona; Barjam Boci, Alban Baftjari nga Durrësi, Jashar Begani (Begami), rezultojnë me rrezikshmëri të lartë shoqërore, pasi janë dënuar me burgim të përjetshëm për vrasje.

NJOFTIMI I PLOTË

3 personat e radhës, objekt i punës së Njësisë së Kërkimit

I dënuari me burg përjetë Barjam Boci

Në datën 24 qershor 2015, në fshatin Lazarat, Gjirokastër, gjatë një operacioni policor është vrarë me armë zjarri punonjësi i Policisë së Shtetit I. B., si dhe janë plagosur punonjësit J. I. dhe P. H.

Shtetasi Barjam Boci ka qenë pjesë e grupit që ka qëlluar në drejtim të Policisë.

Barjam Boci është dënuar me burgim të përjetshëm nga Gjykata e Krimeve të Rënda Tiranë, për veprat penale “Vrasja me dashje në rrethana cilësuese” dhe “Grup i strukturuar kriminal”.

I dënuari me burg përjetë Alban Baftjari.

Në datën 7 mars 2001, në fshatin Shetel, Shijak, Durrës, shtetasi Alban Baftjari, në bashkëpunim me persona të tjerë, ka shkuar në orët e vona të mbrëmjes, në banesën e shtetasit Xh. B., për të vjedhur dhe ka plagosur rëndë shtetaset Sh. B., S. B. dhe shtetasin Xh. B., i cili për pasojë ka gjetur vdekjen. Alban Baftjari është dënuar me burgim të përjetshëm nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprat penale “Vjedhja me pasojë vdekjen, në bashkëpunim” dhe “Armëmbajtja pa leje”.

I dënuari me burg përjetë Jashar Begani (Begami).

Në datën 21 korrik 1997, në zonën e stadiumit “Qemal Stafa” në Tiranë, shtetasi Jashar Begani (Begami) ka vrarë shtetaset A. L. (B.) dhe Z. K. Jashar Begani (Begami) është dënuar me burgim të përjetshëm nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprat penale “Vrasja me paramendim” dhe “Armëmbajtja pa leje”.