Policia e Durrësit ka ndaluar 2 shtetas të shpallur në kërkim kombëtar në kuadër të operacionit “BYE PASS”, operacioni ky që ka të bëjë me abuzimet me disa tendera për mirëmbajtjen e rrugëve në qytetin bregdetar, ndërsa dyshohet se dëmi që i është shkaktuar shtetit kap vlerën e 200 milionë lekëve të vjetër.

“Specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Durrës, në vijim të operacionit të koduar “BYE PASS”, kanë ndaluar 2 shtetas të tjerë të shpallur në kërkim në kuadër të këtij operacioni: R. A., 36 vjeç, banues në Durrës dhe A. Z., 56 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.”, njofton këtë mëngjes policia.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.

Kujtojmë që edhe një ditë më parë, përfunduan në prangat e policisë dy zyrtarë të ARRSH-së, shtetasi Xh. V., 62 vjeç, banues në Shkodër, për veprën penale “Dhënia ndihmë për ndërtim të paligjshëm” si dhe shtetasja A. B., 48 vjeçe, banuese në Tiranë, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.