Shërbimet e Policisë Kufitare Kakavijë në bashkëpunim me shërbimet doganore kanë evidentuar dhe goditur një tentativë për trafik të lëndëve narkotike, duke kapur një sasi prej 1,5 kg kanabis të fshehur në një kovë me reçel, që ishte dërguar nga një grua që përfundoi në pranga.

Shërbimet e Policisë Kufitare, kanë përzgjedhur për kontroll më të detajuar në vijë të dytë një autotobus të linjës Berat-Athinë.

Nga kontrolli i detajuar i kryer nga punonjësit e Policisë Kufitare në vijën e dytë ka rezultuar se në një kovë me reçel ishte fshehur një pako e mbështjellë me letër natriban e mbushur me lëndë narkotike Cannabis Sativa me peshë rreth 1.5 kilogramë.

Nga veprimet e kryera rezultoi se sasia e lëndës narkotike dyshohet se është dërguar nga shtetasia:

– Dashuri Çeremi, 55 vjeçe, banuese në Berat.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Krimeve të Rënda Tiranë për veprën penale "Trafikimi i narkotikëve", parashikuar nga neni 283/a i Kodit Penal.