Dy javë pas tentativës për vrasje në një lokal në Vlorë, policia arreston autorin e dyshuar që ishte shpallur në kërkim për “Vrasje me dashje” e mbetur në tentativë.

Ngjarja ndodhi më 6 tetor dhe policia e Vlorës bën me dije se sot në pranga ra shtetasi A. R., 46 vjeç.

NGJARJA

Më datë 06.10.2019, në një lokal të lagjes “Partizani”, si pasojë e një konflikti të çastit, shtetasi A. R. ka tentuar të vrasë me mjet prerës (thikë) duke plagosur rëndë shtetasin G. Ll., 46 vjeç, me banim në Vlorë.

Menjëherë në vijim të kësaj ngjarjeje është arrestuar në kushtet e flagrancës pronari i lokalit, i cili nuk ka bërë kallëzim pranë organeve të policisë dhe ka prishur gjithashtu edhe provat në vendngjarje.

Materialet iu referuan Prokurorisë në ngarkim të shtetasit A. R. për veprën penale “Vrasje me dashje” e mbetur në tentativë.