Elton Meta është arrestuar nga policia për shkak se akuzohet për veprat penale “Armëmbajtja pa leje”, “Kundërshtim i punonjësit të policisë” dhe “Dhunë në familje”, i cili mbrëmjen e djeshme me një armë zjarri kërcënonte se do të vriste veten.

Sipas policisë, ky person kërcënonte se do të vetëvritej me armë zjarri tek oborri i banesës së vjehrrit, por ndërhyrja e policisë dhe negociatat me të kanë bërë që ai të heqë dorë nga akti ekstrem.

Njoftimi i policisë:

Shërbimet e DVP Fier, pas marrjes së njoftimit se në fshatin Zhupan, një shtetas po tentonte të vriste veten me armë zjarri, menjëherë shkuan në vendngjarje.

Për shkak të gjendjes së rënduar psikologjike të autorit ndërhyrja e shërbimeve të policisë vendore ishte me rrezik për jetën e tyre por edhe të autorit pasi kërcënonte herë pas herë se do vriste veten dhe mos të afrohej njëri në oborrin e banesës.

Menjëherë në drejtim të vendngjarjes shkuan forcat speciale Renea dhe grupi negociator, si dhe u ngrit grupi hetimor i kryesuar nga Prokurori .

Ndërkohë u morën masa sigurie për banorët përrreth duke vendosur perimetër sigurie dhe pas afro 5 orë negociatash  mes Reneas dhe 31-vjeçarit, u bë e mundur që ky shtetas të bindej për të mos kryer vetvrajse dhe t’i dorëzohej shërbimeve të Policisë.

Pas kryerjes së veprimeve hetimore, nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Fier, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit E. M., 31 vjeç, banues në Peshtan, për veprat penale “Armëmbajtja pa leje”, “Kundërshtim i punonjësit të policisë” dhe “Dhunë në familje”.

31-vjeçari, për motive të dobëta kishte shkuar në fshatin Zhupan, në oborrin e banesës së vjehrrit të tij, dhe ka kanosur me një armë zjarri personat që ndodheshin në banesë. Më pas ka dalë në portën e oborrit të banesës dhe kërcënonte se do vriste veten me armën që dispononte.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua arma e zjarrit kallashnikov, 2 gëzhoja dhe 25 fishekë luftarak. Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier për veprime të mëtejshme.