Një 23-vjeçar është arrestuar nga policia, pasi akuzohet se qëlloi me armë zjarri në ajër duke krijuar panik te banorët.

Nga burimet zyrtare mësohet se ngjarja ka ndodhur në fshatin Gojan i Madh në Pukë.

NJOFTIMI I POLICISË

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Pukë, pas telefonatës së marrë për të shtëna me armë zjarri fshatin Gojan i Madh, kanë shkuar menjëherë në adresën e dhënë dhe pas marrjes së informacionit për situatën e ndodhur, kanë organizuar punën për identifikimin dhe kapjen e autorit.

Falë veprimeve të shpejta, informacioneve të marra në rrugë operative dhe si rezultat i një punë të mirorganizuar dhe reagimit të shpejtë, u bë i mundur identifikimi, lokalizimi dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit B. Gj. 23 vjeç, banues në fshatin Gojan i Madh, Pukë.

Ky shtetas kishte qëlluar disa herë në ajër, me një armë zjarri kallashnikov, duke krijuar panik te banorët e zonës.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Pukë kanë bërë të mundur gjetjen dhe sekuestrimin e armës së zjarrit me të cilën 23-vjeçari kishte kryer qitje në ajër.

Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Pukë, për veprën penale “Mbajtja pa leje e armëve dhe municionit”.