Një 33-vjeçar, i cili kishte thyer masën e sigurisë arrest shtëpie, dyshohet se qëndron pas të shtënave me armë të ndodhura një ditë më parë në fshatin Vukatanë të Shkodrës.

Burime zyrtare të policisë së këtij qyteti sqarojnë se në pranga ra 33-vjeçari me iniciale Gj. P. banues në Lagjen “Mark Lula”. Mesditën e së hënës, ai qëlloi me armë zjarri në drejtim të një makine në pronësi të Drejtorisë së Transportit Rrugor, që drejtohej nga një 30-vjeçar.

“Nga strukturat e DVP Shkodër, në vijim të hetimeve intensive për zbardhjen e ngjarjes së ndodhur ditën e djeshme, u bë identifikimi dhe ndalimi i autorit të dyshuar, shtetasit Gj. P. 33 vjeç, banues në Lagjen “Mark Lula” Shkodër, i cili ka thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”. Ky shtetas u ndalua pasi dyshohet se në orën 12:30, datë 29.06.2020, në fshatin Vukatanë, ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të automjetit në pronësi të DPSHTRR, që drejtohej nga shtetasi F. H., 30 vjeç, banues në Dobraç, Shkodër”, thotë policia.

Nga ngjarja nuk ka pati të lënduar, ndërsa motivet mbeten ende të paqarta.