Gjykata e Krimeve të Rënda ka caktuar masën e sigurisë "arrest me burg" për 51-vjeçarin nga Kosova, Ylber Ademi.

Ademi u arrestua dy ditë më parë pasi akuzohej se trafikonte armë nga Serbia në Kosovë me destinacion final Shqipërinë.

Kosovari u kap në rrugën nacionale Elbasan – Peqin, ndërsa iu sekuestruan 19 armë zjarri të llojit pistoletë, të markave të ndryshme, 400 fishekë luftarak, 4 kallëpe lënde eksplozive të llojit TNT, me peshë të përgjithshme 1.6 kg, 3 telefona dhe automjeti që transportonte armët.

Armët dhe municionet ishin fshehur në vende të posaçme të krijuara në automjetin e tij, si në motor, kabinë, bagazh e kroskot.