Goditet një bandë trafikantësh droge, e përbërë nga shtatë shqiptarë dhe 1 italian, që trafikonin në Milano heroinë dhe kokainë nga Holanda.

Urdhër-arrestet u lëshuan nga prokurori i Komos, me akuzat për trafik droge dhe armëmbajtje pa leje.

Nga tetë të dyshuarit, nga të cilët shtatë janë shqiptarë dhe një italian, katër ishin tashmë të arrestuar për një akuzë tjetër.

Të dyshuarit akuzohen për trafikimin në sasi të mëdha të heroinës dhe kokainës, kryesisht nga Holanda. Banda trafikonte drogën në provincat e Como, Monza Brianza, Milano, Varese dhe Rimini nga dhjetori 2017 deri në shkurt 2018.

Anëtarëve të bandës iu sekuestruan edhe dy pistoleta me dy mitralozë.

Hetimi, i cili gjithashtu përdori edhe përgjimet ambientale brenda makinave të të dyshuarve, është vazhdimi i hetimeve të shtatorit 2018 që çoi në arrestimin e 23 personave, përfshirë 22 burra shqiptarë dhe një grua rumune, të akuzuar për shfrytëzim prostitucioni ndaj më shumë se 25 vajzave kryesisht me kombësi shqiptare dhe atyre nga Evropa Lindore.