9 mars 2015 – Pas 11 vitesh nga tragjedia e Otrantos, policia italiane ka arrestuar 40-vjeçarin shqiptar, Viron Robaj, i shpallur në kërkim prej kohësh pasi akuzohet si një nga përgjegjësit kryesorë të kësaj tragjedie.

Sipas medieve italiane, Robaj është arrestuar në Perugia, pas shumë hetimesh intensive. Ai dyshohet se merret edhe me trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike. Policia ra në gjurmët e tij duke vëzhguar lëvizjet dhe mënyrën e jetesës së disa prej të afërmve të tij. 40-vjeçarit iu sekuestrua pasaporta me të dhëna të rreme, me gjeneralitetet e shtetasit F.K.

Ndjekja e tyre nisi mbrëmjen e 27 dhjetorit të shkuar, kur u vunë re lëvizje të dyshimta në një lokal që frekuentohej nga shqiptarë. Gjatë kontrollit të një shqiptari, në dukje me dokumente të rregullta, ishin shenjat e gishtërinjve që treguan se bëhej fjalë për shqiptarin Viron Robaj. Në bashkëpunim me Interpolin dhe policinë shqiptare, policia italiane identifikoi Viron Robajn, dhe arriti ta prangoste.

Ndërsa, më 5 shkurt të këtij viti, policia e Vlorës arrestoi dy punonjës policie, Leonel Begajn, me detyrë inspektor në komisariatin e këtij qyteti, dhe kryeinspektorin Lirim Lamaj, si përgjegjës për pajisjen me pasaportë false të Viron Robajt.

Tragjedia e Otrantos

Më 9 janar të vitit 2004, në orën 18:00, në drejtim të Italisë u nis një skaf me emigrantë nga Shqipëria. Secili prej tyre kishte paguar 1500 euro për të kaluar. Por, vetëm pak nga orë nga nisja u raportua lajmi se skafi ishte mbytur në Gjirin e Otrantos. 21 njerëz ishin mbytur dhe 7 të tjerë u shpallën të humbur.

Pas hetimeve të kryera rezultoi se tragjedia mund të ishte parandaluar, nëse kontrabandistët do të kishin raportuar në kohë pozicionin e tyre, në mënyrë që të mundësohej shpëtimi në kohë.

Kreu i këtij trafiku, Viron Robaj, u dënua në mungesë me 25 vjet burg nga Gjykata e Vlorës për trafikimin e qenieve njerëzore. Ai kërkohej nga autoritetet vendase dhe ndërkombëtare që nga viti 2005.

/S.L. agjencia e lajmeve "Dyrrah"/