Tregtonin celularë dhe aksesorë të ndryshëm te sheshi “Pranvera”, policia procedohen penalisht 4 shtetas, për veprat penale “Fshehja e të ardhurave” dhe Mospagimi i taksave dhe tatimeve”.

Specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës, në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e krimit ekonomik, kanë ushtruar kontrolle ndaj tregtarëve që tregtojnë mallra të ndryshme pa licencë dhe pa dokumentacionin përkatës.

Në vijim të veprimeve u proceduan penalisht shtetasit:

A. B., 44 vjeç, E. S., 44 vjeç, D. S., 31 vjeç dhe B. B., 45 vjeç, banues në Durrës.

Këta shtetas u konstatuan në lagjen nr. 11, Durrës, te sheshi “Pranvera”, duke tregtuar pa licencë dhe pa dokumentacionin përkatës telefona celularë dhe aksesorë të ndryshëm, të cilët u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.