Disa orë pas gjetjes së një trupi të dekompozuar në det nga një anije peshkimi, policia e Durrësit ka dalë me një version zyrtar për ngjarjen.

Në fillim mediat raportuan se kufoma ishte e mbështjellë me natriban, gjë që çonte në dyshimin se bëhej fjalë për një vrasje.

Por sipas policisë, kufoma e seksit mashkull nuk ka qenë e lidhur apo e mbështjellë dhe i kishte të gjitha gjymtyrët. Sipas të njëjtit burim, nuk janë gjetur shenja dhune në trupin e dekompozuar.

Njoftimi i policisë:

Më datë 18.08.2019, në orët e para të mëngjesit, një peshkarexhë që kishte dalë për gjueti, rreth 4 milje larg Durrësit duke ngritur rrjetat dhe ka konstatuar në rrjeta një trup të pajetë të seksit mashkull.

Kufoma është transportuar në morgun e spitalit për ekspertizë mjeko-ligjore.

Nga ekspertiza e jashtme, trupi nuk ka qenë i lidhur apo i mbështjellë.

Nga kqyrja nuk janë evidentuar shenja dhune apo dëmtime të ndonjë natyre tjetër.

Trupi ishte i veshur me rroba, i janë evidentuar gjithë gjymtyrët, por është dekompozuar për shkak të lagështisë.

Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë po vijon hetimet për identifikimin dhe sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.