Dy turistë të huaj nga Holanda dhe Irlanda e Veriut janë shpëtuar nga policia pasi kishin mbetur të bllokuar në Bjeshkët e Kaprres.

Turistja 27-vjeçare S.C. nga Holanda dhe turisti C.S. 33 vjeç nga Irlanda e Veriut ishin nisur drejt qafës së Valbonës, por kishin ngatërruar rrugën dhe kishin dalë në Qafën e Pejës.

Pasi dhanë alarmin SOS, forcat e policisë në Theth nisën kërkimin e tyre. Në bashkëpunim edhe me banorë të zonës, turistët u gjetën pas 8 orë kërkimesh tek maja e Jezercës në një zonë të thepisur. Ata ishin në gjendje të mirë shëndetësore dhe më pas u transportuan për në Theth.

Dy turistët falenderuan policinë dhe banorët për gjithçka bënë për t’i shpëtuar, pasi gjendeshin në kushte të vështira dhe në rrezik për jetën, pa ujë dhe ushqime, si dhe të kërcënuar nga kafshët e egra në atë mjedis ku ndodheshin