Emisioni "Pa Gjurmë" në Report Tv ka siguruar foto dhe video ekskluzive të një personi që sipas një dëshmitareje, është Renato Hamza, këngëtari i tallavasë nga Elbasani, i cili rezulton i zhdukur prej katër vitesh. Për herë të parë pas 4 vitesh nga zhdukja, "Reni i Elbasanit" është filmuar në një lokal në zonën e plazhit në Durrës në shoqërinë e një vajze. 

Renato Hamza rezulton prej 4 vitesh i zhdukur, ndërsa familja, bashkëshortja dhe vajza e tij 4 vjeçe, nuk dinë asgjë për fatin e të riut, i cili sot është 24 vjeç. Është dëshmia e një vajze nga qyteti bregdetar, e cila pretendon se ka parë këngëtarin e tallavasë, "Renin e Elbasanit". Dëshmia e vajzës u transmetua ekskluzivisht në emisionin "Pa Gjurmë".

Në videon e publikuar nga "Pa Gjurmë" vihet re që Renato është i shoqëruar nga një femër në ambientet e një diskoje verore në një prej plazheve të Durrësit. Dëshmitarja thotë se ka pyetur pronarin dhe kamarierin e lokalit nëse është ky "Reni i Elbasanit" i deklaruar i zhdukur dhe të cilin familja e kërkon prej 4 vitesh, por përgjigja që ka marrë ka qenë kërcënuese: "Po ai është, por mos trego, ndryshe je e fikur". 

Ajo rrëfen gjithashtu se ka biseduar më Renaton i cili ka pranuar se është ai personi i deklaruar i zhdukur, por ka hezituar të japë përgjigje se pse nuk kthehet në familje atje ku la bashkëshorten dhe vajzën e tij, tashmë 4 vjeçe.  

Dëshmitarja për stafin e "Pa Gjurmë": Është ky (tregon videon). Ai punonte te ai lokali. I kam bërë video vetë kur kishte shkuma party. Unë e kam pyetur vetë personalisht, sepse më ka shërbyer. Ka qenë një natë Noizy aty në disko. I kam thënë të të bëj një pyetje. Po, më tha. Mos je ti këngëtari Reni? Ty të këron familja? Ti ke humbur? Jo tha, ato e dinë shumë mirë pse nuk shkoj në familje…"

Stafi i "Pa Gjurmë" ka shkuar në Durrës në lokalin ku dyshohet se është parë Renato. Por lokali ishte i mbyllur. E pranishme në emisionin "Pa Gjurmë", nëna e Renit u shpreh se në profil personi në video ngjason me djalin e saj. Apeli i saj ishte që i biri të kontaktojë me familjen e tij dhe t'u thotë të paktën se është gjallë. 

Renato rezulton i humbur që prej 29 qershorit të vitit 2014. Pasi realizoi një klip me këngëtarin Shpat Kasapi, i riu është zhdukur pa lënë gjurmë.