Policia e Shtetit ka reaguar lidhur me ngjarjen e rëndë të ndodhur në Pogradec ku një grua u gjet e pajetë në një banesë.

Sipas policisë, mbrëmë rreth orës 22:20, në lagjen nr. 3, në banesë, është gjetur pa shenja dhune, trupi i pajetë i shtetases Maria Markovska, rreth 45 vjeçe.

Dyshohet se ajo ka ndërruar jetë nga shkaqe natyrale disa ditë më parë.

Viktima në banesë, jetonte me vajzën e saj shtetasen J. M., 9 vjeçe, e cila vuan nga paaftësi fizike dhe aktualisht ndodhet në Pediatri nën kujdesin mjekësor.

Trupi i viktimës është dërguar në morgun e Spitalit dhe pritet ekspertiza mjeko-ligjore për të përcaktuar shkaqet e vdekjes.

Kanë qenë fqinjët ata që kanë njoftuar policinë pas erës dhe mungesës së gruas për disa ditë.

“E njihnim, vinte këtu bënte pazar. Mirë ishte. Këto kohët e fundit, kishte nja 2 javë që nuk ishte mirë që kur i vdiq bashkëshorti. Pas vdekjes së tij ishte e rënduar. Nja 2-3 ditë kisha pa e parë. Ishte një grua e mirë, të shoqin e kishte nga Maqedonia dhe ishin transferuar këtu. Këtu e kam gjetur. Komshinjtë kanë lajmëruar policinë. Kishte erë nga shtëpia e saj dhe s’e kishin parë të dilte. Fëmija ka qenë me aftësi të kufizuara. Nuk kishte kush e nxirrte, përveçse nëna”, ka thënë një banor.