Një person ra në prangat e bluve të Durrësit pasi Policia Kufitare në port gjeti dhe sekuestroi 11 kg heroinë në makinën e tij.

Mësohet se bëhet fjalë për shtetasin Agim Sylejmanin, nga Kosova dhe me banim në Zvicër.

Gjatë kontrollit të ushtruar në vijën e dytë, në pikën e kontrollit të mjeteve, në mjetin tip “Opel” me drejtues 50-vjecarin, shërbimet e Policisë Kufitare duke përdorur edhe qenin antidrogë kanë konstatuar se në brendësi të automjetit kishte lëndë narkotike.

Kjo e fundit ishte fshehur në gomën rezervë dhe në brendësi të vendit ku ajo vendoset, policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale 25 pako me heroinë.

Mësohet se drejtuesi i mjetit nuk ka pranuar që të flasë para oficerëve të policisë.