Bledar Pura, shef i regjimit të burgut të sigurisë së lartë, 313 u sulmua me shkopinj bejsbolli në rrugën e Dajtit një ditë më parë. Policia nuk ka dhënë asnjë deklaratë zyrtare për autorët e mundshëm të ngjarjes së rëndë.

Ajo çka dihet është se mëngjesin e djeshëm 36-vjeçari u gjet i shtrirë në tokë, i masakruar me shkopinj bejzbolli pranë banesës së tij në zonën e “Freskut”. Për shkak të goditjeve, sipas mjekëve, Pura ka fraktura të shumta në krahun e djathtë dhe kokë.

Burimet thanë se gjatë marrjes në pyetje, Pura ka deklaruar se ka qenë më kokën poshtë duke parë telefonin. “Ishte ende errësirë kur një ose dy persona u afruan përballë meje dhe më goditën”, ka deklaruar shefi i regjimit të burgut 313.

Policia po heton në lidhje me konfliktet që Pura mund të ketë pasur ditët e fundit, ose për shkak të detyrës.