Është gjetur i pajetë trupi i 4-vjeçarit, Zenel M., në lumin pranë parkut të lojërave ku ai u zhduk në Wildegg të Zvicrës.

Djali ishte me nënën e tij Burbuqe, kur u zhduk papritmas pasditen e së enjtes rreth orës 16:30.

Trupi i pajetë u gjet pasditen e së premtes, pas operacioneve intensive të kërkimit të policisë. Ai u gjet nga një punonjës në hidrocentralin e Villnachern.

"Mendohet se ra në lumë dhe u mbyt mbrëmjen e së enjtes ndërsa po luante pranë lumit Aabach", tha zëdhënësi i policisë Bernhard Graser

Zeneli ishte në sheshin e lojërave me nënën e tij dhe fëmijët e tjerë. Rreth orës 16:30, nëna papritmas vuri re mungesën e djalit. Ajo shkoi menjëherë në kërkim të tij dhe gjeti vetëm biçikletën.

Pas një kërkimi të kotë, Burbuqe lajmëroi policinë pak më vonë. Aty afër ishte edhe një lumë dhe policia dyshonte se mund të kishte rënë në të, pasi nuk gjendej askund. Madje, ishin përdorur edhe helikopterët për të gjetur djaloshin 4-vjeçar.