Prokuroria e Korçës akuzon tre efektivet e Komisariatit, për mosdhënie ndihme ndaj 27-vjeçarit Enea Ftoit, i cili ndërroi jetë brenda ambienteve të qelisë. Burime nga prokuroria bëjnë me dije se pas konkluzioneve te ekspertizës mjeko-ligjore, hetimet po vijojnë.

Fakti, që 27-vjeçari nuk ka vdekur nga dhuna, nuk do të thotë, qe policia nuk ka përgjegjësi penale per vdekjen e tij. Burimet thanë se ka prova, qe efektivet e policisë, nuk i kanë dhënë ndihmë Enea Ftoit, edhe pse ai kishte shfaqur probleme shëndetësore gjatë dy ditëve të qëndrimit në ambientet e Komisariatit.

Burime nga organi i akuzës pohojnë se Policia ka shkelur rregulloren e trajtimit të të shoqëruarve dhe nuk ka kryer kontrolle periodike në qelinë e 27-vjeçarit. Prokuroria po vlerëson të gjitha provat dhe dëshmitë e grumbulluara dhe pritet të vere nën akuzë, të paktën tre efektive të Komisariatit të Korçës.

Ditën e djeshme kreu i SHCCBA teksa bazohej tek ekspertiza mjeko-ligjore, pohoi se 27-vjeçari ndërroi jetë për shkaqe natyrale dhe jo nga dhuna. Ky pretendim u hodh poshtë nga familja e viktimës, e cila kërkoi zhvarrosjen e Enea Ftoit dhe kryerjes sërish të ekspertizës.