Shoferi i kamionit të një prej firmave të nxjerrjes së gurit dekorativ në Malin e Tomorrit, ka humbur jetën pasi ka pësuar një aksident në punë, ndodhur ditën e djeshme. 36-vjeçari Besnik Sali udhëtonte me kamion kur ka humbur drejtimin e mjetit dhe është rrëzuar së bashku me kamionin që ishte ngarkuar me pllaka guri.

Ai ishte duke punuar në zonën e shpatit të malit, në fshatin Dërvi të Skraparit.

Viktima 36-vjeçar jetonte në fshatin Fushë-Peshtan të Poliçanit dhe ishte babai i 2 fëmijëve. Ai punonte prej vitesh si shofer kamioni në firmat e nxjerrjes dhe përpunimit të pllakave dhe gurit dekorativ në Malin e Tomorrit.

Edhe pse prej gati një viti Ministria e Mjedisit ka revokuar të gjitha liçensat dhe ka pezulluar punën e firmave të nxjerrjes së gurit dekorativ në Malin e Tomorrit, firmat vijojnë sërish punën, pa u shqetësuar aspak në kundërshtim me ligjin, shkruan "Shqiptarja.com".