50-vjeçari nga Shijaku, Riza Shehi është përballur sot me Gjykatën e Durrësit pas arrestimit nga forcat blu më datë 15.10.2017, me qëllim ekstradimi. I pandehuri është prind i tre fëmijëve dhe nuk është dënuar më parë. Seanca e sotme është drejtuar nga gjykatësja Eda Kaja.

Mbi 50-vjecarin nga Shijaku rëndon akuza e “Pjesëmarrjes në organizata kriminale” dhe “Shfrytëzim prostitucioni”, akuza për të cilat ishte shpallur në kërkim në vitin 2002 nga gjykata e Bolonjës në shtetin Italian.

Prokurori i çështjes ka kërkuar të konsiderohet i ligjshëm arresti i përkohshëm me qëllim ekstradimi. Ndërsa pala mbrojtëse e ka cilësur si të pabazë këtë kërkesë të prokurorisë duke e cilësuar një perifrazim vendimin e vitit 2002.

Më tej pala mbrojtëse është shprehur se:

“Nuk kemi vendim as kërkesë. Ka 15 vjet që është vënë masa. Ku e ka dënimin shteti Italian? Vendimi është parashtruar. Kemi një Drejtori Interpoli me letër makaronash. Ku i ka Interpoli vendimin e dënimit? Po kërkesën? Po merrni në qafë njerëz të pafajshëm. Për cfarë kërkohet arresti kur nuk keni vendim? Kjo është brigada e turpshme e Kanunit nga drejtësia Italiane. Po arrestoni njerëz pa vendim.”

Ndërsa Gjykata e Durrësit ka vendosur masën “arrest me burg” me qëllim ekstradimi drejt Italisë për shijaksin Riza Shehi.