Një e re në Tiranë i ka dhënë fund jetës duke qëlluar veten me armë zjarri, raportoi këtë të hënë policia e kryeqytetit. Të njëjtat burime bënë me dije se janë proceduar penalisht 4 familjarë të saj, pasi kanë fshehur armën me të cilin 33-vjeçarja është vetëqëlluar.

“Në rrugën ‘Ali Shefqeti’ ne Shkozë, e ndodhur në gjendje të rënduar psikologjike, dyshohet se është vetëvrarë me armë zjarri në banesë shtetasja M.H., 33 vjeçe. Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr.1, në përfundim të veprimeve të para hetimore kanë proceduar në gjendje të lirë për veprën penale ‘Veprime që pëngojnë zbulimin e së vërtetës’, shtetasit Xh.L., 26 vjeçe, S.H., 57 vjeçe, E.L., 32 vjeç dhe D.G., 56 vjeç.  Procedimi ndaj këtyre shtetasve u bë pasi dyshohet se kanë prishur vendngjarjen dhe kanë fshehur armën me të cilën shtetasja M.H., kreu vetëvrasjen”, njoftoi policia.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme, shtuan të njëjtat burime.