Policia e Durrësit ka dhënë detaje në lidhje me aksidentin e ndodhur mbrëmë në darkë te mbikalimi i Shkozetit, si dhe përshkrimin e viktimës, i cili ka mbetur ende i paidentifikuar.

Aksidenti u shënua më datë 11.01.2018, rreth orës 23:30, ku në segmentin rrugor Shkozet- Plepa, në mbikalimin e Shkozetit një automjet ka aksidentuar një shtetas këmbësor, i cili ka ndërruar jetë. Ndërkohë mjeti është larguar nga vendi i aksidentit, pamjet e të cilës “DurrësLajm” e sjell në videon më poshtë.

Cili është viktima

Shtetasi i aksidentuar është i seksit mashkull, rreth 55 vjeç dhe rreth 1.70 cm i gjatë. Flokët i ka të prera shkurt dhe të thinjura. Ka të veshur një xhup ngjyrë të zezë, poshtë xhupit një pulovër ngjyrë blu dhe një këmishë ngjyrë blu me vija të zeza, pantallona ngjyrë të zezë dhe një palë atlete ngjyrë të zezë me taban ngjyrë të bardhë.

Po punohet për identifikimin e viktimës, gjetjen e mjetit dhe identifikimin e autorit të ngjarjes së mësipërme.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës për veprime të mëtejshme për veprat penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor” dhe “Largimi nga vendi i aksidentit” parashikuar në nenet 290/3 dhe 273 të Kodit Penal.