Detaje të reja kanë dalë në lidhje me dy të rinjtë shqiptarë që u dëbuan nga Italia për pritje terroriste.

Sipas raportimeve të medieve vendase, ata konsideroheshin të rrezikshëm për sigurinë kombëtare dhe për këtë u shoqëruan në Shqipëri nga personeli i policisë në bordin e motoskafit të lundruar nga Bari drejt Durrësit, ku më pas u vunë në dispozicion të antiterrorizmit shqiptar.

Mediat italiane raportojnë se pas hetimeve të policisë, rezultoi se shqiptarët e moshës 23 dhe 24 vjeç, u përzunë pas kontrollit të imtësishëm të profileve të tyre në rrjetet sociale, të cilët ishin pjesë e një grupi në aplikacionin whatsapp ku ftonin për xhihad.

Një prej shqiptarëve, shkruan ANSA, një 24-vjeçar që jetonte në Fucera, pranë Foggias, dyshohej se ishte i lidhur ngushtë me një bashkëkombas i cili po ndihmonte në emigrimin e paligjshëm dhe ishte gjithashtu i lidhur me një grup Salafist, pjesë e së cilit ishin 2 shqiptarët e deportuar nga Italia, korrikun e shkuar.

24-vjeçari përhapte propagandë xhihadiste në faqen e tij të “Facebook”-ut. Shqiptari tjetër, një 23-vjeçar i lidhur me një grup kriminal shqiptar, ishte marrë me trafik të personave në Foggia dhe kishte postuar fotografi në “Facebook” ku shfaqej me armë zjarri.