Të tjera detaje mësohen nga operacioni i Policisë së Durrësit, ku u prangos 44-vjeçari Elvis Gaçaj, një person me rrezikshmëri të lartë shoqërore.

Mësohet se gjatë operacionit të koduar "Taulantia", forcat blu kanë kapur dhe arrestuar dy persona me precedentë penalë të mëparshëm në fushën e veprave penale kundër personit dhe armëmbajtjes pa leje.

Njëri prej tyre, i cili kishte dhe armë zjarri me vete ishte me masë sigurie "Arrest në shtëpi", për armëmbajtje pa leje. Në cilësinë e provave materiale janë sekuestruar një armë zjarri pistoletë CZ çeke, dy krehëra me 26 fishekë kalibër 9 mm dhe automjeti tip BMW.

NJOFTIMI I POLICISË

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës dhe Komisariati i Policisë Durrës, në vijim të planit për kapjen e personave në kërkim dhe atyre që qarkullojnë me armë zjarri me vete, si dhe në bazë të informacioneve të siguruara nga Strukturat Policore se dy shtetas lëviznin me një automjet me armë zjarri me vete kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar "Taulantia".

Shërbimet e Policisë në rrugën "Taulantia" kanë bërë të mundur identifikimin e mjetit që lëviznin presonat e dyshuar, automjet i cili kryente manovra të dyshimta në rrugë.

Duke marrë parasysh informacionin e marrë se në këtë mjet mund të kishte persona me rrezikshmëri të lartë shoqërore, Policia ka ngritur një perimetër të gjërë rrethimi për kapjen e tyre.

Drejtuesi i automjetit sapo ka parë Policinë është larguar me shpejtësi së bashku me pasagjerin dhe gjatë largimit pasagjeri, i cili ishte dhe me masë sigurie “Arrest në shtëpi” ka hedhur në rrugë një armë zjarri pistolete me fishekë.

Pololicia ka bërë të mundur bllokimin, neutralizimin dhe kapjen në flagrancë të shtetasve E. G., 44 vjeç, banues në Tiranë dhe K. D., 34 vjeç, banues në Durrës.

Shtetasi E.G., pasagjer në mjet është person me rrezikshmëri të lartë shoqërore, i dënuar më parë për veprat penale kundër personit dhe për armëmbajtje pa leje.

Gjithashtu ka qenë në masë sigurie " Arrest në shtëpi" për veprën penale "Armëmbajtja pa leje".

Ndaj tij janë referuar materialet në Prokurori për veprat penale "Armëmbajtja pa leje" dhe "Mosbindja ndaj urdhërit të punonjësit të policisë së rendit publik".

Shtetasi K. D. është person me precedentë penalë të mëparshëm në fushën e veprave penale kundër personit dhe armëmbajtje pa leje. Ndaj tij janë referuar materialet në Prokurori për veprat penale "Moskallëzimi i krimit "dhe "Mosbindja ndaj urdhërit të punonjësit të policisë së rendit publik".

Në cilësinë e provave materiale janë sekuestruar një armë zjarri pistoletë CZ çeke, dy krehëra me 26 fishekë kalibër 9 mm dhe automjeti tip BMW.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës për veprime të mëtejshme.