Është ekstraduar nga Gjermania drejt Shqipërisë Arbër Çekaj, personi i dyshuar për trafikimin e 613 kg kokaine kolumbiane në portin e Durrësit.

Çekaj është pronari i kompanisë “Arbri Garden” në kontenierët me banane të së cilës në fund të shkurtit të vitit 2018 u kapën 613 kg kokainë që vinin nga Kolumbia.

Ai u ekstradua në kushte të larta sigurie, ku Policia blindoi gjithë aeroportin e Rinasit, për ta dërguar më pas në burgun “313” në Tiranë. 

NJOFTIMI I POLICISË

Ekstradohet nga Gjermania 39-vjeçari i dyshuar për trafikim të narkotikëve.

Nga Specialistët e Interpol Tirana u krye ekstradimi nga Dyzeldorfi, Gjermani drejt vendit tonë i shtetasit shqiptar A.Ç. (K.), 39 vjeç, banues në Tiranë.

Ai ishte shpallur nga Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, Tiranë, më datë 08.03.2018, e cila ka lëshuar urdhër arresti për këtë shtetas për veprën penale “Trafikimi i narkotikeve” kryer në bashkëpunim.

Përmbledhje e ngjarjes

Shtetasi A.Ç. (K.), në muajin shkurt 2018 në bashkëpunim me shtetas të tjerë dyshohet të ketë trafikuar një sasi të madhe lëndë narkotike, kokainë, nga Kolumbia drejt Shqipërisë.

Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tiranës me Interpol Wiesbaden, Gjermani, u bë i mundur arrestimi i tij në Gjermani, duke u finalizuar me ekstradimin drejt vendit tonë.